Arrestohen dy shqiptarë për grabitje të armatosur në Selanik, tre të tjerë në kërkim

Dy shqiptarë kanë rënë në pranga për grabitjen e armatosur një ditë më parë në një dyqan pengjesh në Selanik. Tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Burimi: Prothothema

16.01.2026. 16:24

Arrestohen dy shqiptarë për grabitje të armatosur në Selanik, tre të tjerë në kërkim

Policia Kundër Krimit të Organizuar në Greqi ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, të moshës 44 dhe 37 vjeç, si autorë të dyshuar të grabitjes së armatosur që ndodhi mesditën e së mërkurës, në një dyqan pengjesh në rrugën “Vasilissis Olgas”, në Selanik.

Sipas mediave greke, njëri prej të dyshuarve u arrestua në zonën e Toumbës në Selanik, ndërsa tjetri në Katerini. Të dy akuzohen se, në bashkëpunim me tre persona të tjerë, arritën të përvetësonin para dhe sende me vlerë të konsiderueshme nga biznesi.

Zbardhja e ngjarjes u bë e mundur falë gjurmëve të gishtërinjve, analizës së pamjeve dhe lëvizjeve të dyshimta të autorëve gjatë dhe pas grabitjes.

Sipas Policisë Greke, dy autorët kryesorë hynë në dyqan të armatosur, me fytyra të mbuluara dhe doreza, duke kërcënuar personat brenda. Gjatë grabitjes u qëllua edhe një herë me armë zjarri në dysheme, pa shkaktuar të lënduar.

Ata morën rreth 3 mijë euro, një sasi ari dhe bizhuteri të ndryshme, me vlerë totale rreth 20 mijë euro.

Hetimi zbuloi gjithashtu se njëri prej autorëve kishte shkuar në një dyqan tjetër për të shitur një pjesë të arit, me qëllim fshehjen e gjurmëve. Pas grabitjes, autorët u larguan me një makinë me qira, e cila më vonë u dorëzua nga 44-vjeçari.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi kapuçë, doreza, telefona celularë, ar dhe para cash. Dy të arrestuarit pritet të dalin para prokurorit, ndërsa hetimet për kapjen e bashkëpunëtorëve vijojnë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)