Berisha para Parlamentit: Rama, kryeministri më i poshtëruar, po shkelmon Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa opozita zhvillon protestë para Kuvendit në ditën e seancës plenare.

12.03.2026. 10:07

Berisha para Parlamentit: Rama, kryeministri më i poshtëruar, po shkelmon Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa opozita zhvillon protestë para Kuvendit në ditën e seancës plenare. Para se të hynte në Parlament, Berisha përshëndeti mbështetësit e mbledhur jashtë dhe i falënderoi për praninë e tyre.

Sipas tij, vendi ndodhet në një situatë të rëndë dhe dorëheqja e kryeministrit është zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza.

“Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si zgjidhjen e vetme të kësaj situate dramatike që po përjeton vendi. Në një kohë kur Rama, njeriu më i poshtëruar në detyrë sot, në të gjithë hapësirën e BE dhe më gjerë, nuk ka sot një kryeministër më të poshtëruar para botës dhe popullit të tij si Rama. I poshtëruar sepse po shkelmon ligjet dhe Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjet e tij”, tha Berisha.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, kryeministri po dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Po mbyll dyert e BE për Shqipërinë. Aty ku bën ligje në Kuvend, firmën ia merr pëllumbësha Spirogjoka, aty ku bën ligje që Linda e tij të jetë First Lady e Shqipërisë, zonja Begaj ia menderos ligjin”, u shpreh Berisha.

Më herët, kryedemokrati përshëndeti protestuesit që e prisnin jashtë selisë së PD, ndërsa u nis drejt Parlamentit.

“Ja përfaqësuesit e vërtetë të shqiptarëve. Këta janë,” tha ai.

Ndërkohë, para nisjes së seancës plenare, është zhvilluar edhe mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Deputetët demokratë pritet të marrin pjesë në seancë, ndërsa Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu do të qëndrojnë jashtë sallës, pasi janë përjashtuar me 10 ditë nga Sekretariati i Etikës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)