LIVE/ Tension në rrugët e Tiranës, probleme për Sali Berishën nga gazi lotsjellës

Tensione në Tiranë gjatë protestës së opozitës, molotov e fishekzjarrë drejt institucioneve, policia përgjigjet me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

22.03.2026. 15:50

LIVE/ Tension në rrugët e Tiranës, probleme për Sali Berishën nga gazi lotsjellës

Ora 20:55 - “Nuk ka paqe më me Edi Ramën”, Sali Berisha: Betejë epike, protesta e radhës më madhështorja

Pas përfundimit të protestës së opozitës që zgjati rreth tre orë dhe u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë në rrugët e Tiranës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli nga selia e PD-së.

Ai falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen dhe e cilësoi protestën si një moment të rëndësishëm në vijimësinë e aksionit opozitar, duke theksuar se kjo datë përkon me përvjetorin e përmbysjes së diktaturës komuniste.

“Përshëndetje vëllazërore, një mirënjohje të pakufishme. Me qëndrimin tuaj, nderuat më shumë se kurrë këtë datë të shënuar, përmbysjen e diktaturës 34 vite më parë dhe i dhatë edhe goditjen e merituar kësaj diktature, ju garantoj se tjetra do të jetë më e shkëlqyer. Për Edi Ramën nuk do të ketë strofull ku të futet. Keni qenë të shkëlqyer! Si e nderuat ju kaq shumë sot 22 marsin, e tmerruat Edi Ramën. Ne zotohemi se nuk ka paqe në këtë vend me ata që vjedhin si hienat pasuritë publike të shqiptarëve për t’u pasuruar vetë. Qëndresa jonë, ndëshkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe ata do të përfundojnë në Lanë, në koshat e plehrave të historisë. Ju e patë si e kishte rrethuar në katër anët me polici, por nuk ka rrethim që na ndalon ne. Edi Rama, jep dorëheqjen sepse do të tërheqim ashtu siç nuk ta pret mendja.”

Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin për një “akt të shëmtuar” ndaj tij gjatë protestës, duke thënë se kjo vetëm sa rrit vendosmërinë e opozitës, teksa shfaqi probleme nga gazi lotsjellës.

“Ajo që bëri Edi Rama ndaj meje ishte një akt i shëmtuar, por ajo sa rrit vendosmërinë e protestuesve për ta hedhur ata në Lanë. Ne jemi në betejë dhe në këtë betejë nuk kemi të ndalur. Sot ne fituam një betejë, sot zhvilluam betejën më të bukur. Shumë shpejt do të njoftojmë betejën më madhështore. Nuk ka paqe me Edi Ramën”, tha Berisha.

Ora 20:45 - Protesta e opozitës, lëndohen 3 efektivë të “Shqiponjave”

Protesta e opozitës në Tiranë po vazhdon me tensione dhe incidente, ku 3 efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë mbetur të lënduar. Sipas informacioneve paraprake, ata janë dëmtuar nga hedhja e molotovëve në drejtim të forcave të Policisë dhe janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak për ndihmë mjekësore.

Situata u përshkallëzua më tej rreth orës 20:20 në zonën e Rrugës së Elbasanit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, me përdorim të molotovëve nga njëra anë dhe gazit lotsjellës nga ana tjetër.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, akuzoi policinë për dhunë, duke deklaruar se ajo është “shndërruar në bandë” dhe se ka goditur liderin e opozitës.

Protesta vijon mes tensioneve në disa zona të kryeqytetit.

Ora 20:30 - Deputeti i PD, Flamur Noka-policisë: Jeni shndërruar në bandë, keni goditur liderin e Partisë Demokratike

Ora 20:20 - Eskalon situata te Rruga e Elbasanit, molotov e gaz lotsjellës

Foto nga web

Ora 20:10 - Probleme për Sali Berishën nga gazi lotsjellës

Ora 20:00 – Përplasje mes protestuesve dhe policisë pranë godinës së AKSH-it dhe RTSH-së

Protestuesit janë përplasur me forcat e policisë pranë godinës së AKSH-it dhe asaj të RTSH-së. Policia kishte bllokuar një segment të rrugës, ndërsa protestuesit tentuan të çajnë kordonin, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit nisën të hedhin molotov në drejtim të forcave të policisë.

Ora 19:42 - Protesta e opozitës zhvendoset në zonën e ish-Bllokut

Protestuesit janë zhvendosur në zonën e ish-Bllokut, ndërsa forcat e policisë janë të pozicionuara në zona të ndryshme të Tiranës.

Ora 19:08 - Molotov në drejtim të Ministrisë së Brendshme

Protestuesit u zhvendosën nga Kryeministria te Ministria e Brendshme ku menjëherë nisën të hedhin molotov në drejtim të godinës.

Ora 19:00 – Protestuesit janë shpërndarë pas tensionimit të situatës te kryeministria.

Pak minuta kanë qëndruar protestuesit dhe drejtuesit e Partisë Demokratike para Kryeministrisë. Aty u hodhën fishekzjarrë dhe molotov, ndërsa policia u përgjigj menjëherë më gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke bërë që protestuesit të shpërndaheshin. Më pas, atyre iu është bërë thirrje të ndjekin flamujt në krye të protestës, duke u zhvendosur në zona të tjera të Tiranës. Drejtuesit e PD janë shprehur se janë qytetarët ata që do të vendosin se ku do të zhvendoset protesta.

Ora 18:55 - Molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të Kryeministrisë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës dhe ujë me presion

Ora 18:40 - Protestuesit shkojnë drejt Kryeministrisë, ndërsa hidhet molotovi i parë në urën e Lanës.   

Foto nga web

Ora 18:35 - Sali Berisha del nga selia e PD dhe i bashkohet protestuesve në bulevard.  

Ora 18:30 - Protesta pa fjalime dhe masa të forta sigurie, opozita zbret në terren me skenar të hapur

Protesta e opozitës pritet të nisë para Kryeministrisë pa fjalime, në një format të ngjashëm me tubimet e mëparshme. Deputetët dhe mbështetësit janë grumbulluar në shesh, ndërsa më pas pritet të shpërndahen në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Ish-Bllokun dhe bulevardin kryesor.

Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie, duke angazhuar rreth 1500 efektivë dhe duke “blinduar” institucionet kryesore.

Kërkesa kryesore e opozitës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe çështja e Belinda Ballukut. Skenari i plotë i protestës pritet të bëhet i qartë gjatë zhvillimit në terren.

Ora 17:57 - “Nga ngujimi te greva e deputetëve”, Belind Këlliçi: Të gjitha opsionet janë mbi tavolinë

Pak para nisjes së protestës së radhës kombëtare, opozita ka ashpërsuar tonet dhe ka paralajmëruar hapa të rinj në përballjen me qeverinë. Nga deklaratat publike, duket se strategjia e saj mund të hyjë në një fazë më të fortë presioni politik.

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, u shpreh se protesta e sotme ka si qëllim kryesor krijimin e një qeverie teknike dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se opozita është e vendosur të përdorë të gjitha mjetet demokratike në dispozicion, duke përmendur se “nga ngujimi te greva e deputetëve, të gjitha opsionet janë mbi tavolinë”.

Këlliçi u ndal edhe te ajo që e quajti “rasti Balluku”, duke akuzuar kryeministrin se ka përdorur Kuvendin për të mbrojtur zyrtarët e përfshirë në afera korruptive. Sipas tij, kjo ka krijuar një klimë ku zyrtarët ndihen të paprekshëm dhe mbi ligjin.

“Për të mbrojtur atë dhe veten, Rama e ktheu Kuvendin në bunker, duke u dhënë mesazh zyrtarëve të korruptuar se janë mbi ligjin”, deklaroi ai.

Sipas Këlliçit, protestat dhe denoncimet e opozitës kanë bërë që, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, të flitet për një “autokraci elektorale” në Shqipëri.

Ora 17:45 - Kreu i PD Sali Berisha mbërrin në seli, duke iu bashkuar me dhjetëra qytetarëve që po presin nisjen e marshimit-protestë, rreth orës 18:00 në Tiranë.

***

Në një ditë me simbolikë historike për shqiptarët, Sali Berisha bën thirrje për mobilizim qytetar. 22 marsi, që shënon njëherësh festën e Sulltan Nevruzit dhe përvjetorin e fitores së demokracisë në vitin 1992, është zgjedhur nga opozita si moment për të intensifikuar aksionin kundër qeverisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë, duke e cilësuar këtë si mënyrën më dinjitoze për të nderuar 34-vjetorin e 22 marsit 1992. Ai theksoi se Shqipëria ndodhet sërish në kushte që i krahasoi me një “diktaturë autoritare” dhe kërkoi largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Në mesazhin e tij, Berisha uroi fillimisht besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit, duke vlerësuar rolin e tyre në historinë kombëtare. Më pas ai u ndal te domethënia e 22 marsit 1992, duke kujtuar se kjo ishte dita kur shqiptarët, përmes votës së lirë, u ndanë nga diktatura komuniste.

Duke bërë një krahasim me situatën aktuale, Berisha deklaroi se vendi ndodhet në kushte të deformimit të procesit zgjedhor dhe bashkëpunimit të pushtetit me krimin. “Nuk pajtohemi kurrë me përdorimin e mandateve të krimit dhe të ligjeve të vendit, për të mbrojtur qeveritarët hajdutë dhe kryeministrin kryehajdut të vendit”, u shpreh ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë.

Sipas tij, protesta duhet të shndërrohet në “kryengritjen më të madhe paqësore” që ka njohur vendi, me synimin për të hapur rrugën drejt një të ardhmeje evropiane.

Ndërkohë, Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të zhvillojnë protestën kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, në orën 18:00. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të reja.

Drejtuesit e opozitës nuk kanë bërë të ditur detaje mbi skenarin e protestës, duke ruajtur një qëndrim të rezervuar. Në protestat e fundit janë shënuar incidente, përfshirë hedhje molotovësh dhe përplasje me policinë.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie, ndërsa edhe Ambasada e SHBA u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të shmangin zonat ku pritet të zhvillohet protesta dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)