Festa e Sulltan Nevruzit, Baba Mondi: Të reflektojmë mbi virtytet që na udhëheqin

Kreu i Bektashinjve përkujtoi gjithashtu se ky vit shënon 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe rivendosjes së lirisë së besimit Bektashi në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një moment historik.

22.03.2026. 12:56

Festa e Sulltan Nevruzit, Baba Mondi: Të reflektojmë mbi virtytet që na udhëheqin

Ashtu si çdo vit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka mbajtur fjalimin e tij të zakonshëm në Kryegjyshatë, në përkujtim të festës së Sulltan Nevruzit.

Gjatë fjalës së tij, Baba Mondi theksoi se kjo ditë është një mundësi për reflektim mbi vlerat dhe virtytet që udhëheqin jetën e besimtarëve, duke i bërë thirrje komunitetit të kultivojë dashurinë dhe përkujdesjen ndaj të tjerëve.

Ai citoi një mësim të Haxhi Bektash Veliut, sipas të cilit thelbi i besimit bektashi qëndron në respektin dhe solidaritetin me të afërmit.

Kreu i Bektashinjve përkujtoi gjithashtu se ky vit shënon 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe rivendosjes së lirisë së besimit Bektashi në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një moment historik që simbolizon ringjalljen e traditës shpirtërore pas periudhave të vështira.

Baba Mondi përfundoi mesazhin e tij duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave shpirtërore dhe komunitare, duke theksuar se Nevruzi është jo vetëm një festë, por edhe një mundësi për të forcuar lidhjet mes njerëzve dhe për të kultivuar harmoninë brenda komunitetit bektashian.

“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi.

Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu ‘ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij’. Kjo tregon se dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve, janë pasqyra e besimit tonë të thellë”, tha Baba Mondi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)