Kryetari i opozitës, Sali Berisha, nga “Foltorja” Përpara Kryeministrisë, akuzoi ashpër qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për korrupsion, keqqeverisje dhe cënim të sigurisë së të dhënave dhe pronës së qytetarëve.
Në deklaratat e tij, Berisha u shpreh se vendi ndodhet nën një “regjim kriminal”, duke iu referuar çështjeve të AKSHI-t, sistemit të kadastrës digjitale dhe sigurisë ushqimore e farmaceutike. Ai akuzoi qeverinë për keqpërdorim të të dhënave personale të qytetarëve dhe për pasiguri në administrimin e pronave.
“Ndaj dhe siç e dini nuk ka sot pronar që ka pronën e tij të sigurt sepse me ligjin e ri të investimeve dhe duart e zeza mbi kadastrën dixhitale kanë falsifikuar çdo pronë. Kanë transferuar çdo pronë. Kanë zhdukur çdo pronë. Nuk ka sot qytetar që ka gjë të sigurt në këtë vend” u shpreh Berisha.
Një pjesë e fjalimit u fokusua edhe te protestat e ardhshme të opozitës. Berisha deklaroi se pas përfundimit të proceseve brenda Partisë Demokratike, do të organizohet një protestë kombëtare, të cilën e paraqiti si hap të radhës në aksionin politik të opozitës.
Duke iu referuar situatës politike, ai theksoi se opozita synon largimin e qeverisë aktuale dhe rikthimin e votës së lirë dhe besimit të qytetarëve.
“Ndaj dhe, unë e kuptoj, të gjithë keni një pyetje në mendjen tuaj, kur është kryengritja tjetër? Ditët më të para pas përfundimit të proceseve në parti. Asgjë në botë nuk na ndal ne në misionin tonë pa larguar nga pushteti narkodiktatorin dhe regjimin e tij. Pa rikthyer në Shqipëri votën e lirë, shpresën, besimin, të ardhmen e shqiptarëve”, deklaroi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)