“Shqipëria në fazën finale drejt BE”, Rama dhe Marta Kos optimistë në Bruksel: Negociatat përfundojnë brenda 2 viteve

Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian, gjatë Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE që u zhvillua në Bruksel.

26.05.2026. 20:56

“Shqipëria në fazën finale drejt BE”, Rama dhe Marta Kos optimistë në Bruksel: Negociatat përfundojnë brenda 2 viteve

Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian, gjatë Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE që u zhvillua në Bruksel. Në qendër të diskutimeve ishte progresi i bërë nga Tirana zyrtare në përmbushjen e kritereve për integrimin europian dhe objektivi ambicioz për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Europian mbështet fuqishëm vizionin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat brenda dy viteve të ardhshme. Madje, në mënyrë simbolike dhe me nota humori, ajo premtoi se nëse ky objektiv arrihet, do të ngjisë malin e Korabit bashkë me kryeministrin shqiptar.

“Ne mblidhemi këtu sa herë që flasim për kapitujt. Por gjithçka që bëjmë e bëjmë për njerëzit. Shqipëria po shfrytëzon këtë moment historik ku zgjerimi është edhe njëherë përparësi e BE-së. Kur flasim për datën ju thashë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe pastaj do i ngjitem Korabit bashkë me kryeministrin”, deklaroi Kos.

Nga ana e tij, Edi Rama e cilësoi miratimin e qëndrimit të përbashkët për IBAR-in si “fillimin e fundit” të procesit të integrimit europian.

“Ndihemi të inkurajuar, por me më shumë përgjegjësi sepse e dimë që s’është fundi, është vetëm fillimi i fundit. E dimë që duhet të bëjmë shumë më tepër punë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka ndërtuar institucione më të forta krahasuar me një dekadë më parë dhe veçoi reformën në drejtësi si një nga arritjet kryesore të vendit.

“Fjala IBAR u bë trendi, kështu jetojmë ne me anëtarësimin në BE. Sot morëm konfirmim, institucione shumë më të forta se 10 vite më parë. Një institucion drejtësie që është i pavarur si kurrë më parë”, deklaroi Rama.

Në fjalën e saj, Marta Kos vlerësoi progresin e Shqipërisë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, duke përmendur posaçërisht rolin e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri. Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të”, tha Kos.

Ndërkohë, zëvendësministrja për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, deklaroi se Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re dhe më sfiduese të negociatave.

“Konferenca e sotme shënon fillimin e një faze të re edhe më sfiduese. Progresi nuk matet vetëm me miratimin e reformave, por me zbatimin e tyre efektiv”, u shpreh Raouna.

Konferenca e 8-të Ndërqeveritare konsiderohet një moment kyç për Shqipërinë, pasi fokusohet në përmbylljen e kushteve të ndërmjetme që do të përcaktojnë ritmin e mëtejshëm të integrimit europian të vendit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)