Aksi rrugor Kakavijë-Janinë do të bllokohet sërish dhe këtë herë për një afat prej 48 orësh, si pasojë e protestave të fermerëve në Greqi, të cilët kanë vendosur të përshkallëzojnë lëvizjen e tyre duke i bërë presion qeverisë në Athinë me bllokada.
Policia Kufitare pas komunikimeve me palën greke ka dalë me një njoftim ku u kërkon qytetarëve që të planifikojnë udhëtimet me automjete, në orare të tjera.
“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, për 48 orë duke filluar nga ora 12:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, në aksin Kakavijë-Janinë do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Sakaq, mediat greke raportojnë se i gjithë vendi do të paralizohet nga bllokadat e fermerëve, të cilat me traktorët dhe mjetet e tyre bujqësore janë vendosur në nyje kyçe të autostradave kombëtare. Sipas tyre bllokim 48 orësh do të ketë edhe në zyrat doganore të Promachona, Exochi, Evzoni dhe Niki.
Autostrada kombëtare Athinë-Lamia, një nga rrugët me fluksin më të lartë të mjeteve në Greqi, është mbyllur dhe ka filluar devijimi i automjeteve në rrugët dytësore, pasi do të qëndrojë e bllokuar për katër ditë.
Bllokim dy ditor do të ketë në Autostradën Egnatia dhe vazhdimin e autostradës Antirio-Janinë. Është mbyllur gjithashtu ura kryesore e Halkidës për dy ditë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)