Arratisja e Ndocit, të burgosurit e rrezikshëm transferohen nga Durrësi në burgun e Fierit

Pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, disa persona që konsiderohen të rrezikshëm, të ndodhur pas hekurave në burgun e Durrësit do të transferohen nën masa të rrepta sigurie nga Drejtoria e Burgjeve drejt IEPV-së së Fierit.

14.01.2026. 20:59

Arratisja e Ndocit, të burgosurit e rrezikshëm transferohen nga Durrësi në burgun e Fierit

Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit dhe vetëm pak orë pasi ministri i Drejtësisë kërkoi zhvendosjen e personave me rrezikshmëri të lartë që ndodheshin në burgun e Durrësit në një burg të sigurisë së lartë, ka nisur edhe procesi i transferimit.

Mësohet se disa persona që konsiderohen të rrezikshëm, të ndodhur pas hekurave do të transferohen nën masa të rrepta sigurie nga Drejtoria e Burgjeve drejt IEPV-së së Fierit.

Procesi i transferimit nuk prek zyrtarët e lartë apo emrat e njohur të politikës, të cilët janë në hetim nga SPAK dhe qëndrojnë në paraburgim në Durrës.

Kujtojmë se mesditën e djeshme nga ambientet e repartit infektiv të spitalit të Durrësit, Altin Ndoci duke goditur efektivin që e ruante teksa kryente një kontroll mjekësore, ia mbathi dhe më pas u largua me një automjet “Audi A7” që e priste në ambientet e jashtme.

Sipas hetimeve, Ndoci kishte kërkuar vizitë mjeëksore pas ankesave për dhimbje në veshka. Ditën e sotme forcat e rendit kryen tetë arrestime në lidhje me këtë çështje. Ata ndaluan pesë efektivët që kryen shoqërimin e Ndocit nga burgu i Durrësit drejt spitalit të qytetit, kryeinfermierin dhe zv/shefin e policisë.

TË ARRESTUARIT:

-Aulon Çuko- Kryeinfermieri

-Desdemon Pazaj, zëvendës shefi i policisë

-Efektivët: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela

-Violeta Uka, punonjëse e policisë së Burgjeve

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)