Zgjati rreth 2 orë protesta kombëtare e opozitës para Kryeministrisë këtë të hënë. Në ndryshim nga tubimet e mëparshme, të quajtura “Foltore” nga PD, këtë herë numri i qytetarëve të pranishëm ishte shumë më i lartë.
Gjatë protestës folën disa prej deputetëve të saj, të cilët kërkuan largimin e qeverisë Rama, ndërsa ajo kulmoi me fjalën e kreut të PD. Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkelje të Kushtetutës, kapje të institucioneve dhe përkeqësim të gjendjes së vendit. Ai deklaroi se qeverisja e Ramës ka detyruar miliona shqiptarë të largohen nga vendi dhe se zgjedhjet janë shndërruar në një farsë elektorale, teksa pasuritë publike janë përdorur për përfitime personale.
Sipas tij, kryeministri ka vendosur veten mbi ligjin dhe institucionet. “Jo vetëm kaq, por ai ka vendosur veten mbi ligjin e Kushtetutën, mbi çdo pushtet dhe na thotë nga Surreli apo kjo ndërtesë e krimit, se unë ju shumëzoj me zero. Se unë jam me ligjin. Edi Rama hidhi sytë nga bulevardi, nga sot ti do njihesh si kapobandë”, tha Berisha.
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut demokrat, protestuesit hodhën molotov në drejtim të kryeministrisë për disa minuta.
Pas shpërndarjes së turmës, Berisha u rikthye në seli nga ku foli sërish për mediat. Ai zbuloi edhe tre pikat që do të jenë objektiv i opozitës në vijim.
“Ky aksion nuk ndalet kurrë deri në largimin e Edi Ramës. Ai është armik. 3 drejtime do të ketë protesta, kryeministria, ndërtesa e krimit, ku kryehajdutët mbrojnë njëri-tjetrin. Parlamentin që asgjëson pluralizmin dhe Surreli, pallati tjetër i krimit.
Baxhanaku i Edi Ramës janë epiqendra e atyre zhvillimeve në AKSH. Ne do ta shpëtojmë Shqipërinë dhe demokracinë shqiptare”, tha Berisha.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se janë plagosur 2 efektivë, ndërsa u shoqëruan edhe disa qytetarë për hedhje molotovi.
Ora 20:20 - Sali Berisha zbulon tre pikat ku do zhvendoset protesta: Nuk ndalet derisa të iki Rama
“Ky aksion nuk ndalet kurrë deri në largimin e Edi Ramës. Ai është armik. 3 drejtime do të ketë protesta, kryeministria, ndërtesa e krimit, ku kryehajdutët mbrojnë njëri-tjetrin. Parlamentin që asgjëson pluralizmin dhe Surreli, pallati tjetër i krimit. Baxhanaku i Edi Ramës janë epiqendra e atyre zhvillimeve në AKSH. Ne do ta shpëtojmë Shqipërinë dhe demokracinë shqiptare”.
Ora 20:05 - Protestuesit janë larguar nga Kryeministria dhe janë shpërndarë në disa zona të caktuara të kryeqytetit. Kjo lëvizje ka kapur papërgatitur efektivët e policisë, të cilët tashmë janë duke u vendosur në zona të tjera të Tiranës.
Ora 20:00 - Shoqërohet nga policia një qytetar që hodhi molotov në protestë.
Ora 19:43 - Hidhën kapsolla e molotov në drejtim të kryeministrisë
Menjëherë pas fjalës së Berishës, protestuesit kanë nisur të hedhin kapsolla e molotov në drejtim të hyrjes së Kryeministrisë, ndërsa policia ka rrethuar.
Ora 19:40 - Berisha Ramës: Na ke shpallur luftë, ne do të shkojmë në Surrel
“Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën. Për të shpëtuar familjen shqiptarë, demokracinë. Ne jemi këtu sot dhe jam i bindur se me të drejtë ka qytetarë në shesh dhe të tjerë që na ndjekin dhe thonë çfarë do bëjnë këta? Ne do bëjmë atë “ja do vdesim ja do rrojmë për liri”. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel…Kur ne kemi dalë me këtë betim kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne. Të nxijnë Shqipërinë…Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”.
Ora 19:27 - Sali Berisha: Rama kreu grusht shteti për të shpëtuar lëkurën e tij
“Rama beson se Shqipëria pa opozitë është projekt që do të realizohej së shpejti, por ja ku jemi sot për të përmbysur këtë narkodiktaturë. Miq, këto dy javë në Shqipëri janë zhvilluar beteja të pashembullta. Një prokuror guximtar pezulloi nga detyra një zëvendëskryeministre. Një gjykatë turpi u ble, një gjykatë supreme, kryesore e kombit, i hoqi jashtë çdo rregulli masën e pezullimit, e ktheu Lubinë në detyrë që të prishë çdo provë. Edi Rama me këtë akt, me këtë vendim që i diktoi Gjykatës Kushtetuese na tha ne shqiptarëve se unë do tju vjen dhe ju kam vjedh sepse jam mbi ligjin, mbi Kushtetutën. Rama kreu grusht shteti për të shpëtuar lëkurën e tij”.
Ora 19:13 Klevis Balliu: Ergysi me 3 mln euro verë, kurse Balluku me 300 apartamente
“Ergys Agasi mban në shtëpi 3 mln euro shishe vere. Ndërkohë që të rinjtë e të rejat largohen sepse nuk blejnë një shtëpi, Belinda Balluku ka 317 apartamente e 2 jahte. Ku i gjetën paratë? Janë të gjitha paratë tuaja. Ndaj duhet të luftojmë që të arrestohen dhe tu konfiskohen pasuritë. Bandat në pushtet fshihen si struci. Sot më shumë se kurrë janë në garë kush t’ja fusë njëri-tjetrit. 12 vite kemi denoncuar se si një narkopushtet ka vjedhur çdo ditë, çdo minutë e orë duke i transformuar shqiptarët në popullin më të varfër me pushtetarët më të pasur të botës. Ndërkohë që sot nuk ka ilaçe në spitale, Ergys Agasi mban në shtëpi 3 mln euro shishe vere.
Ndërkohë që të rinjtë e të rejat largohen sepse nuk blejnë një shtëpi, Belinda Balluku ka 317 apartamente e 2 jahte. Ku i gjetën paratë? Janë të gjitha paratë tuaja. Ndaj duhet të luftojmë që të arrestohen dhe tu konfiskohen pasuritë. Deri dje ishte vetëm opozita që fliste për narkoshtetitn dhe që denonconte, sot është e gjithë Evropa, janë 7 rezoluta ndërkombëtare. Sot nuk ka asnjë gjuhë e botës që nuk e di se Edi Rama është kryetar i narkoshtetit, trafikant i rëndomtë droge që mban pushtetin vjedhur me narkokartelet duke blerë votat me paratë e bandave, kur një shtet bie pre e bandave cfarë ndodh, ndodh që biznesmenët merren peng, që administratës i bëhet presion”, tha Balliu.
Ora 19:00 - Gazment Bardhi: Korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë
“Ju falënderoj sepse forca juaj është kthyer në shpresën tonë. Në shpresën e Shqipërisë, ju falënderoj për besimin që i jepni PD, në këtë kohë të sundimit të kolerës e korrupsionit. Prania juaj sonte do të thotë se kjo shoqëri ka ende guxim dhe e do ndryshimin. Nga ju në këtë shesh kam mësuar se sakrificat dhe besimi do të na çojnë përpara me besim për largimin e Ramës, Kryeministri më i korruptuar në Europë dhe botë. Kjo protestë është për dinjitetin tonë të përbashkët dhe të ardhmen që nuk ia falim Ramës. Ne jemi këtu sepse korrupsioni po i merr frymën Shqipërisë. Kartelet e drogës bashkë me qeverinë e tyre po vjedhin. Rama, Balluku, banda kriminale që qëndrojnë pas tyre duan që ne të heshtim. Bashkë me çetën e tyre të megahajdutëve, ne do u themi se ata e kanë gabim. U themi hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisë së koha e tyre ka mbaruar”, tha ai.
Ora 18:40 - “O sot o kurrë, sot vendosim një precedent për të ardhmen”
“Këtu pas shpinës time, hyjnë e dalin nga kjo godinë për të zhdukur provat. Visi ka ruajtur mesazhet e Ballukut, Balluku ka ruajtur mesazhet e palloshit kurse Gysi i ka filmuar të gjithë. Ndizni dritat e telefonave ta shohin ku është populli opozitar, ku është PD. Ne sot nuk jemi mbledhur për një ritual politik por si misionarë dhe për të thënë të vërtetën. Ky pushtet ka mbaruar, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen tani, jo kur të dojë ai.
Këtu pas shpinës time, hyjnë e dalin nga kjo godinë për të zhdukur provat. Visi ka ruajtur mesazhet e Ballukut, Balluku ka ruajtur mesazhet e palloshit kurse Gysi i ka filmuar të gjithë. Edi Rama nuk di më kë të mbrojë e kë të lëshojë. Mekanizmi përbindshëm ka rënë. Makineria e tyre u mbajt gjallë mbi frikën. Miliarda euro të zhdukura nga xhepat tanë. Kjo bandë detyroi të ikin 1.1 mln shqiptarë. O sot o kurrë, sot vendosim një precedent për të ardhmen”, tha Belind Këlliçi.
Ora 18:26 - Argita dhe Jamarbër Malltezi i bashkohen protestës së opozitës
Argita dhe Jamarbër Malltezi, vajza dhe dhëndri i Sali Berishës, i janë bashkuar protestës së opozitës këtë pasditeje të hëne përpara Kryeministrisë.
Rreth orës 18:20 edhe kreu demokrat Sali Berisha është nisur drejt kryeministrisë nga selia e Partisë Demokratike, aty ku e presin me mijëra qytetarë, të cilët tashmë janë pozicionuar.
***
Kryeqyteti është nën masa të rrepta sigurie këtë të hënë, në prag të protestës kombëtare të thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë. Mbi 1300 efektivë policie, forca speciale, “Shqiponjat”, agjentë civilë si dhe 5 autobotë uji janë vendosur në gatishmëri, duke e “blinduar” zonën qendrore të Tiranës.
Protesta, e paralajmëruar nga Partia Demokratike, pritet të nisë në orën 18:00 dhe vjen si reagim ndaj, sipas opozitës, skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë Rama. Policia e Shtetit ka dhënë leje për zhvillimin e saj për një afat kohor prej tre orësh, nga ora 18:00 deri në 21:00, ndërsa trafiku në disa akse kryesore është devijuar që prej orës 14:00.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si të përfshirë në korrupsion dhe duke kërkuar arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, pas, siç i cilëson opozita, skandaleve të përsëritura. Përpara godinës së Kryeministrisë janë vendosur edhe pankarta, ku njëra prej tyre mban mbishkrimin: “I pangopuri i fundit i Europës”.
Ndryshe nga protestat e mëparshme apo tubimet e njohura si “Foltore”, kjo protestë shënon një angazhim dukshëm më të lartë të forcave të rendit, çka tregon nivelin e lartë të gatishmërisë dhe shqetësimit për mbarëvajtjen e tubimit.
Autoritetet policore kanë bërë thirrje për qetësi dhe respektim të ligjit, ndërsa opozita pritet të “zbresë në shesh” me mbështetës nga mbarë vendi.
“Tirana po zien”, Berisha thirrje për protestë masive: Sot shënojmë kthesën e madhe
Pak orë para protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, kreu i saj Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në tubimin që do të zhvillohet ne bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha theksoi se protesta do të shënojë një moment kthese në raportin e shqiptarëve me qeverinë, të cilën e akuzoi për disa afera korrupsioni.
“Një mision i madh na pret. Ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi, shansi i përmbysjes njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin e plaçkitin kombet e tyre, ia mbathin si armiq”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, situata në kryeqytet dhe në mbarë vendin është e ndezur. Ai theksoi se 22 dhjetori është një ditë e rëndësishme për opozitën.
“22 dhjetori është një ditë e shënuar, ditë që fton çdo shqiptar. Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitar pavarësisht dallimeve që kemi, të bashkohemi që të tregojmë se nuk ka forcë të na ndalojë pa përmbysur regjimin. Tirana po zien, Shqipëria po zien. Kam besim që protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe, drejt fitores së çdo qytetari të këtij vendi për dinjitetin dhe familjen e tij”, tha kreu i PD-së.
Lideri i opozitës foli edhe për skenarët e protestës, duke e cilësuar atë si pjesë të një procesi më të gjerë politik.
“Së pari do të sqaroj se ky është një proces inaugural. Ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë dhe jemi të betuar që do të vazhdojmë luftën tonë deri në përmbysjen e regjimit. Zbresim në shesh pasi Rama përdori Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë, për të firmosur licencën e vjedhjeve të tij dhe qeveritarëve të tij pa u shqetësuar”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së paralajmëroi se protestat në vijim do të jenë afatgjata, siç tha ai deri në largimin e qeverisë. “Këtë protestë do ta merrni si një ansambël të tërë dhe do të ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose me shuarjen e opozitës.”
Meta, mesazh nga burgu: Të shembim “barrikadën e 83 diejve” dhe regjimin e korrupsionit
Në prag të protestës kombëtare të opozitës, ish-presidenti Ilir Meta ka dërguar një mesazh nga burgu, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ngritjen e asaj që ai e quan “barrikada e 83 ‘Diejve’”, me synim pengimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e pushtetit përmes korrupsionit. Meta u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe të dalin masivisht në shesh për të “shembur regjimin kleptokratik”.
Në mesazhin e lexuar gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Meta e përshkruan qeverisjen aktuale si një regjim mafioz që, sipas tij, ka shkatërruar familjen, ka rrënuar institucionet dhe ka kthyer drejtësinë në një instrument politik. Ai thekson se ligji i ashtuquajtur “antifamilje” përbën një atentat ndaj identitetit dhe dinjitetit të shqiptarëve, duke kërkuar reagim pa dallime partiake.
Sipas Metës, drejtësia në vend është produkt i një procesi antikushtetues dhe përdoret për të mbrojtur bashkëpunëtorët e pushtetit, ndërsa prova të rëndësishme, siç u shpreh ai, “avullojnë” kur bëhet fjalë për zyrtarë të lidhur me qeverinë. Ish-presidenti akuzon kryeministrin se ka kthyer shumicën parlamentare në një mur mbrojtës për të penguar hetimet dhe arrestimet e figurave kyçe të përfshira në afera korruptive.
Në të njëjtën linjë ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili deklaroi se “kauza që Ilir Meta mbron nuk mund të burgoset kurrë” dhe se ajo do të jetë e pranishme në shesh përmes qytetarëve. Sipas Blushit, shqiptarët duhet të ngrihen sot për të drejtat e tyre të shkatërruara nga regjimi.
Meta shkruan në mesazh se misioni i opozitës është t’ua rikthejë Shqipërinë shqiptarëve, duke theksuar se ky qëllim do të arrihet “me çdo çmim”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)