Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se katër ish-udhëheqësit e UÇK-së që sot ndodhen në Hagë nuk kanë asnjë lidhje me terror, spastrim etnik apo krime kundër njerëzimit, duke theksuar se ata nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje.
Gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” të akademikut dhe ish-ambasadorit të Kosovës, Ahmet Shala, Rama u shpreh se prokuroria e tribunalit në Hagë nuk ka arritur të provojë akuza të tilla ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Rama theksoi se vetë përfaqësuesit e Kosovës votuan në Parlament krijimin e Gjykatës Speciale, e cila, sipas tij, në letër është gjykatë e Kosovës dhe jo një mekanizëm për të vendosur Kosovën në bankën e të akuzuarve.
“Sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë në anën tjetër të barrikadës, ndërkohë që prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme, pasi nuk ka në aktivitetin e katër udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe UÇK-së me terrorin, pastrimin etnik, varre me njerëz të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve dhe grave, apo me përdhunime, vrasje, mbytje njerëzish në lumë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre”, tha Rama.
Ai foli gjithashtu për një plan, që, sipas tij, ka nisur me raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, mbi pretendimet për trafikim organesh nga drejtues të UÇK-së. Rama pretendoi se ky proces është shtyrë përpara nga përfaqësues rusë në Këshillin e Evropës dhe është mbështetur mbi një rezolutë që, sipas tij, nuk është rishikuar.
Në deklaratën e tij, kreu i qeverisë shqiptare shtoi se ish-presidenti i Kosovës është “marrë peng” që nga momenti kur ishte nisur drejt SHBA-së, ndërsa pretendoi se edhe presidentja e Kosovës është kërcënuar për shkak të refuzimit për të lejuar kontroll në zyrën e saj nga prokurorët.
“Qysh nga ai moment, presidenti i Kosovës është marrë peng. Edhe presidentja e Kosovës është kërcënuar; ju nuk e dini, pasi nuk është thënë asnjëherë. Presidentja e Kosovës është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës se me demek do kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit. Kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë.“, u shpreh Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)