Në një ditë me simbolikë historike për shqiptarët, Sali Berisha bën thirrje për mobilizim qytetar. 22 marsi, që shënon njëherësh festën e Sulltan Nevruzit dhe përvjetorin e fitores së demokracisë në vitin 1992, është zgjedhur nga opozita si moment për të intensifikuar aksionin kundër qeverisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë, duke e cilësuar këtë si mënyrën më dinjitoze për të nderuar 34-vjetorin e 22 marsit 1992. Ai theksoi se Shqipëria ndodhet sërish në kushte që i krahasoi me një “diktaturë autoritare” dhe kërkoi largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Në mesazhin e tij, Berisha uroi fillimisht besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit, duke vlerësuar rolin e tyre në historinë kombëtare. Më pas ai u ndal te domethënia e 22 marsit 1992, duke kujtuar se kjo ishte dita kur shqiptarët, përmes votës së lirë, u ndanë nga diktatura komuniste.
Duke bërë një krahasim me situatën aktuale, Berisha deklaroi se vendi ndodhet në kushte të deformimit të procesit zgjedhor dhe bashkëpunimit të pushtetit me krimin. “Nuk pajtohemi kurrë me përdorimin e mandateve të krimit dhe të ligjeve të vendit, për të mbrojtur qeveritarët hajdutë dhe kryeministrin kryehajdut të vendit”, u shpreh ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë.
Sipas tij, protesta duhet të shndërrohet në “kryengritjen më të madhe paqësore” që ka njohur vendi, me synimin për të hapur rrugën drejt një të ardhmeje evropiane.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të zhvillojnë protestën kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, në orën 18:00. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të reja.
Drejtuesit e opozitës nuk kanë bërë të ditur detaje mbi skenarin e protestës, duke ruajtur një qëndrim të rezervuar. Në protestat e fundit janë shënuar incidente, përfshirë hedhje molotovësh dhe përplasje me policinë.
Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie, ndërsa edhe Ambasada e SHBA u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të shmangin zonat ku pritet të zhvillohet protesta dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)